Moda televizive zakonisht ndjek parimin “një herë dhe mjafton”, sidomos në programe prime time ku kërkohet një look i ri çdo mbrëmje. Por disa veshje rikthehen, sepse janë ikonike.
Pse pikërisht kjo xhaketë?
Xhaketa është Alexander McQueen, pjesë e koleksionit për meshkuj Vjeshtë/Dimër 2023. E pamë fillimisht në gjysmëfinalen e “Big Brother VIP Albania” në maj 2024. U rikthye sërish në prime-n e djeshëm (e martë, 24 shkurt). Ne e kemi të qartë që Ledionit nuk i mungojnë alternativat, por disa veshje nuk janë thjesht veshje.
Siç e thamë, xhaketa ishte pjesë e koleksionit Vjeshtë/Dimër 2023 të McQueen, nën drejtimin kreativ të Sarah Burton. Në qendër të koleksionit ishin siluetat klasike mashkullore të riformësuara përmes prerjes, supeve të strukturuara dhe belit të theksuar, elementë që e bëjnë trupin të duket më i fortë dhe më i drejtë.
Orkideja: detaji i veçantë
Një nga motivet kryesore të koleksionit ishte orkideja, e cila në disa veshje ishte e stampuar, si në xhaketën e Ledionit, dhe në disa të tjera e endur ose e qendisur.

Kjo lule delikate krijon një kontrast me veshjen klasike. Në versionet me qëndisje të kuqe mbi të zezë, kontrasti është edhe më i theksuar.

Një “armaturë” moderne
Në kontekstin e një formati si “Big Brother VIP Albania”, ku moderatori duhet të jetë stoik, i qartë, por edhe estetikisht i kuruar, kjo xhaketë funksionon si një suit of armor moderne: e thekson siluetën; e forcon figurën; i jep autoritet (sepse Ledionit i duhet të merret me disa adultë të pabindur që rrallë i respektojnë rregullat e mirësjelljes).

Ta veshësh dy herë? Po!
Nëse një xhaketë e koleksionit Vjeshtë/Dimër 2023, prezantuar në Javën e Modës në New York, vazhdon të duket aktuale në 2026-n, kjo thotë shumë. Është e prerë mirë, e qepur me mjeshtëri dhe ka çdo detaj për t’u konsideruar “e përjetshme”. Si e tillë, nuk ka asnjë arsye të vishet vetëm një herë.