
Është e vështirë t’i shpjegosh dikujt që nuk e ka përjetuar atë epokë pse jeta e shkurtër e Carolyn Bessette-Kennedy është kthyer në mit. Sigurisht, historia e saj e dashurisë me John F. Kennedy Jr., “princin” e fundit amerikan, ndikoi në këtë mitologji moderne. Ashtu si edhe bukuria e tyre, prania në qendër të politikës, medias dhe modës, apo fundi tragjik që i ndau përgjithmonë.
Por ka edhe diçka tjetër që e bën figurën e saj kaq magnetike: misteri. Ajo jetoi në një kohë pa rrjete sociale, pa ekspozim të tepërt, pa dokumentim të përditshëm të çdo detaji. Pamjet janë të pakta, fotografitë edhe më të pakta sipas standardeve të sotme. Dhe pikërisht kjo mungesë e teprisë e bëri stilin e saj të pavdekshëm.

Le ta themi që në fillim: askush nuk mund ta kopjojë stilin e Carolyn. Dhe ndoshta pikërisht sepse ajo nuk u përpoq kurrë të impresiononte. E arsimuar, e përmbajtur, me një shije të kultivuar gjatë kohës që punonte në industrinë e modës, ajo zgjodhi rrugën më të vështirë, thjeshtësinë.
Tri gjëra që pothuajse nuk i vishte kurrë: bizhuteri të dukshme, grim të rëndë dhe logo të ekspozuara. Edhe në mbrëmje, kur statusi i saj do ta lejonte një paraqitje më dramatike, ajo qëndronte tek linjat e pastra. Një orë klasike në kyç, ndonjë palë vathë të vegjël në raste formale, kaq mjaftonte.

Ajo nuk ishte e interesuar të shfaqte pushtet apo pasuri përmes veshjes. Madje edhe kur mbante çantën e saj ikonike, e përdorte pa ceremoninë që shohim sot: e mbushte plot, e vendoste në tokë, e mbante çdo ditë. Për të, aksesorët ishin funksionalë, jo trofe.
Gardërobë e vogël, ndikim i madh

Carolyn ndërtoi një uniformë personale:pallto të qepura në mënyrë perfekte, xhinse me prerje të drejtë ose pak të gjera, mokasina/balerina klasike ose taka të zeza minimaliste,fustane mbrëmjeje të zinj, por elegantë.
Edhe kombinimet më të thjeshta, një këmishë e bardhë me fund mbrëmjeje, xhinse me pallto klasike, një bluzë kashmiri me pantallona, merrnin një dimension tjetër për shkak të qëndrimit të saj. Ishte vetëbesimi ai që i jepte veshjes autoritet.
Përsëritja si stil

Një nga sekretet më të mëdha të saj ishte përsëritja. Ajo nuk kishte një gardërobë të pafund. E njëjta pallto, të njëjtat xhinse, e njëjta siluetë, të veshura pa pushim. Sot kjo do të quhej “capsule wardrobe”. Atëherë ishte thjesht zgjedhje personale.
Kjo përsëritje krijoi koherencë vizuale. Çdo dalje e saj dukej si vazhdim i një historie estetike që ajo e njihte shumë mirë. Nuk ndiqte trendet, i filtronte ato përmes shijes së saj.
Pse na duket ende aktuale?

Sepse stili i Carolyn Bessette-Kennedy nuk varej nga sezoni. Ai varej nga proporcioni, cilësia dhe përmbajtja. Nga mungesa e tepricës. Nga ideja se bukuria natyrore nuk ka nevojë për konkurrencë.

Në një epokë ku gjithçka dokumentohet dhe ekspozohet, figura e saj mbetet pothuajse e paprekshme. Një siluetë me pallto të zezë në rrugët e Nju Jorkut, syze dielli të errëta, flokë bjonde të lëshuara natyrshëm, dhe një elegancë që nuk kërkonte kurrë vëmendje, por gjithmonë e merrte.

