Dënohen deklaratat e ambasadorit amerikan mbi kontrollin e territoreve arabe nga Izraeli

Një koalicion prej 14 shtetesh arabe dhe islamike, së bashku me Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit, Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OIC) dhe Ligën Arabe, dënuan komentet e ambasadorit amerikan Mike Huckabee, i cili theksoi se Izraeli mund të kontrollojë territore arabe.
Vendet e përfshira e cilësuan deklaratën si të papërgjegjshme, nxitëse të tensioneve dhe pengesë për përpjekjet paqeruajtëse në rajon.
Në një deklaratë të përbashkët, Ministritë e Jashtme të Katarit, Egjiptit, Jordanisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Indonezisë, Pakistanit, Turqisë, Arabisë Saudite, Kuvajtit, Omanit, Bahreinit, Libanit, Sirisë dhe Palestinës, së bashku me GCC, OIC dhe Ligën Arabe, shprehën shqetësim të thellë për komentet e Huckabee, duke theksuar se ato cenojnë sigurinë rajonale dhe shkelin të drejtën ndërkombëtare.
Presidenti iranian: “Nuk do t’i nënshtrohemi presioneve ndërkombëtare”

Në mes të raporteve për protesta të reja në Iran, presidenti Masoud Pezeshkian deklaroi se vendi i tij nuk do të dorëzohet përballë presioneve ndërkombëtare, ndërsa vazhdojnë bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara.
Në një fjalim të transmetuar drejtpërdrejt në televizionin shtetëror, Pezeshkian tha:
“Fuqitë botërore po rreshtohen për të na detyruar të ulim kokën… por ne nuk do ta ulim kokën, pavarësisht problemeve që po na krijojnë.”
Ndërkohë, mediat raportuan protesta të reja studentore kundër qeverisë në Teheran, pas mijëra viktimave gjatë përplasjes së janarit.
Mbi 3,000 persona protestojnë në Lyon pas vdekjes tragjike të një aktivisti nacionalist

Rreth 3,200 persona morën pjesë të shtunën në një tubim të udhëhequr nga grupe të ekstremit të djathtë, pas vdekjes së aktivistit nacionalist Quentin Deranque në qytetin francez Lyon.
Presidenti Emmanuel Macron bëri thirrje për qetësi përpara homazheve ndaj 23-vjeçarit, i cili humbi jetën në spital nga plagët pas dhunës së ushtruar ndaj tij.
Tubimi u zhvillua nën masa të forta sigurie dhe pa incidente.
Nis fushata elektorale në Hungari për zgjedhjet parlamentare të muajit prill

Fushata për zgjedhjet parlamentare të prillit në Hungari nisi këtë fundjavë. Tanimë janë lejuar afishimet publike, aktivitetet elektorale dhe mbledhja e firmave për kandidatë.
Kandidatët individualë duhet të sigurojnë të paktën 500 nënshkrime të vlefshme për t’u përfshirë në fletën e votimit.
Afati për regjistrim përfundon më 6 mars, dhe dokumentet duhet të dorëzohen në zyrat zgjedhore përkatëse deri në atë date, duke u lënë vetëm dy javë kohë kandidatëve për të mbledhur firmat.
Ndërkohë, zgjedhësit që dëshirojnë të votojnë për listën kombëtare më 12 prill mund të dorëzojnë tashmë propozimet e tyre.