Nëse trendi aktual vazhdon, bota mund të përballet me një realitet alarmant: brenda dy dekadave, më shumë se 220 milionë fëmijë mund të jetojnë me obezitet. Ekspertët paralajmërojnë se pa masa të forta dhe të menjëhershme, një brez i tërë rrezikon të hyjë në moshë madhore me probleme serioze shëndetësore.
Obeziteti tek fëmijët mund të arrijë nivele rekord deri në vitin 2040
Pa ndërhyrje të forta dhe politika të qarta shëndetësore, më shumë se 220 milionë fëmijë në botë mund të vuajnë nga obeziteti deri në vitin 2040. Ky është paralajmërimi që vjen nga një raport ndërkombëtar i publikuar së fundmi.
Sipas të dhënave globale, në vitin 2025 rreth 180 milionë fëmijë ishin obezë. Por shifrat e reja nga World Obesity Federation tregojnë se deri në vitin 2040, rreth 227 milionë fëmijë dhe adoleshentë nga 5 deri në 19 vjeç mund të klasifikohen si obezë, ndërsa më shumë se gjysmë miliardi pritet të jenë mbi peshë.
“Një brez i dënuar me sëmundje”
Johanna Ralston, drejtoresha ekzekutive e World Obesity Federation, tha se rritja e obezitetit tek fëmijët tregon se kjo sëmundje ende nuk merret seriozisht në nivel global.
“Nuk është e drejtë të dënojmë një brez të tërë me obezitet dhe me sëmundjet kronike, shpeshherë edhe fatale, që e shoqërojnë atë,” u shpreh ajo.
Ku është më i përhapur problemi
Dhjetë vendet ku më shumë se gjysma e fëmijëve në moshë shkollore janë mbi peshë ose obezë ndodhen kryesisht në rajonin e Paqësorit Perëndimor dhe në Amerikë. Megjithatë, rritja më e shpejtë e obezitetit po regjistrohet në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Çfarë mund të bëhet?
Ekspertët kërkojnë masa më të forta për të krijuar mjedise më të shëndetshme për fëmijët. Ndër rekomandimet kryesore përfshihen:
- taksa mbi pijet dhe produktet me shumë sheqer
- kufizime të rrepta për reklamat e ushqimeve të pashëndetshme (sidomos para orës 21:00)
- politika që nxisin aktivitetin fizik dhe stilin aktiv të jetesës tek fëmijët
- etiketime të qarta në paketim
- ndalimi i hapjes së dyqaneve me ushqime fast-food pranë shkollave
Nëse doni t’i ndihmoni fëmijët tuaj të krijojnë zakone të shëndetshme ushqimore, klikoni këtë artikull:
