
Abuzimi verbal është shpesh i vështirë për t’u dalluar në një marrëdhënie, por mund të jetë po aq shkatërrues sa dhuna fizike. Për shkak se “plagët” nuk janë të dukshme, shumë njerëz nuk e kuptojnë menjëherë se po përballen me një formë dhune psikologjike. Në shumë raste, kjo sjellje maskohet si shaka, humor apo reagim normal në një debat.

Kur dëgjojmë fjalën “abuzim”, mendja zakonisht shkon te dhuna fizike. Megjithatë, abuzimi verbal mund të ndikojë thellë në mirëqenien psikologjike të një personi. Abuzuesit shpesh e kamuflojnë sjelljen e tyre duke e paraqitur si diçka të parëndësishme ose gazmore, gjë që e bën edhe më të vështirë identifikimin e problemit.
Më poshtë janë pesë shenja të zakonshme që mund të tregojnë se një person po përjeton abuzim verbal në marrëdhënien e tij.
1. Mendon gjithmonë dy herë para se të flasësh
Nëse gjatë bisedave me partnerin/en mendon vazhdimisht se duhet të zgjedhësh me shumë kujdes çdo fjalë për të shmangur tensionet apo të bërtiturat, kjo është një shenjë alarmi. Kur frika nga reagimi i tjetrit të bën të heshtësh, marrëdhënia mund të mos jetë e shëndetshme.

2. Marrëdhënia nuk të sjell më kënaqësi
Në një marrëdhënie të shëndetshme duhet të ndihesh mirë dhe i qetë. Nëse nuk mban mend herën e fundit kur keni kaluar mirë së bashku dhe shumica e momenteve dominohen nga grindje, të bërtitura dhe fyerje, ky mund të jetë një tregues i një problemi më të thellë.
3. Fjalët e tua shtrembërohen vazhdimisht
Një tjetër shenjë e zakonshme është manipulimi i fjalëve tuaja. Nëse çdo herë që shpreh një mendim apo argument, partneri e ndryshon kuptimin e fjalëve tuaja dhe në fund ju dilni “fajtori”, mund të bëhet fjalë për një sjellje manipuluese.
4. Intuita të thotë se diçka nuk shkon
Shpesh ndjenja e brendshme është tregues i rëndësishëm. Nëse mendon shpesh se do të ishte më mirë të largoheshe nga marrëdhënia ose ndjen se diçka nuk është në rregull, edhe pse nuk arrin ta përkufizosh saktësisht, është e rëndësishme ta marrësh seriozisht këtë ndjesi.

5. Fyerjet si “shaka”
Personat që përjetojnë abuzim verbal shpesh dëgjojnë fraza si: “Ishte vetëm një shaka”, “Mos e merr kaq seriozisht” ose “Pse po reagon kështu?”. Këto komente mund të bëjnë që viktima të dyshojë në ndjenjat e veta dhe të ndihet sikur reagimi i saj është i tepruar.
Ekspertët theksojnë se abuzimi verbal mund të ketë pasoja serioze në vetëvlerësimin dhe shëndetin mendor. Prandaj, njohja e këtyre shenjave është hapi i parë për të kuptuar situatën dhe për të kërkuar mbështetje nëse është e nevojshme.


