I ftuar në "UëTëFë Show" në Andale, Laert Vasili ka folur edhe një herë për momentin e bujshëm të puthjes që ai i dha një konkurrenteje të "Për'puthen" pa pëlqimin e saj, gjë që solli përjashtimin e tij nga programi.
Duke përsëritur edhe një herë se "puthja ishte skenike", Laerti adresoi për herë të parë dhe aludimet e komentuesve se i gjithë momenti ishte i inskenuar:
"Fare, jo. Për këtë mund të betohem, një betim kam, për kokë të mamasë, nuk ka asnjë gjë të inskenuar. Thjesht unë u entuziazmova pak më tepër se ç'duhej dhe sigurisht i kam kërkuar ndjesë gocës dhe kaq. Më thanë largohu dhe..."
Ndonëse kur ishte i ftuar pak ditë më parë në "ABC e Mëngjesit" Laerti ironizoi Megi Pojanin për fjalimin e përjashtimit të tij nga "Për'puthen", duke e quajtur "shoqja Lenka" dhe duke i kujtuar puthjen e saj me Aulonën, ai shprehu se s'ka asnjë inat me Megin:
"Skam ndonjë inat me Megin unë, as me Megin, as me Nedën dhe me askënd. Për një veprim që bëra unë të kem inat Megin?!"
Edhe pse në fjalimin që Megi Pojani mbajti, ajo sqaroi se ai u përjashtua nga programi me vendim të produksionit, Laerti s'u duk ta kishte shumë të qartë se kujt i duhej "drejtuar gishti" për largimin nga "Për'puthen":
"Kush më hoqi?! Për të ikur nuk ika vetë. Jemi takuar pas një jave, isha i mërzitur. Më thanë 'Laert, ti e kupton që nuk mund të... ' 'Patjetër që e kuptoj' u thashë, 'as mos e diskutoni atë gjë'. Po sa i mërzitur jam unë, besoj që aq të mërzitur janë edhe ata," tha Laerti duke treguar tërthorazi se vendimi për largimin e tij ka qenë më shumë një protokoll që duhej zbatuar në rast të shkeljes së rregullave, siç ai bëri.





