Pas akuzave të rënda nga ish-punonjësit e restorantit legjendar Noma, shefi me origjinë shqiptare René Rexhepi ka reaguar publikisht, duke kërkuar falje për sjelljen e tij në të kaluarën.
Reagimi vjen pasi The New York Times publikoi një artikull të bazuar në intervista me 35 ish-punonjës të restorantit, të cilët përshkruan një model sjelljeje të dhunshme dhe poshtëruese ndaj stafit gjatë viteve të punës në Noma.
Pas publikimit të akuzave, Rexhepi reagoi përmes një postimi në Instagram, ku kërkoi falje për sjelljen e tij në të kaluarën.
“Edhe pse nuk i njoh të gjitha detajet e këtyre historive, shoh mjaftueshëm nga sjellja ime e së kaluarës për të kuptuar se veprimet e mia kanë qenë të dëmshme për njerëzit që kanë punuar me mua,” shkroi ai.
Ai shtoi se u kërkon falje të gjithë atyre që kanë vuajtur nga mënyra se si ai ka drejtuar kuzhinën.
“Për ata që kanë vuajtur nën drejtimin tim, gjykimin tim të gabuar apo zemërimin tim, më vjen thellësisht keq dhe kam punuar për të ndryshuar."

Rexhepi shpjegoi gjithashtu se kur filloi karrierën në kuzhinë, të bërtiturat, poshtërimi dhe frika konsideroheshin pjesë normale e kulturës së punës në shumë restorante.
“Mbaj mend që mendoja se nëse një ditë do të kisha kuzhinën time, nuk do të drejtoja kurrë në atë mënyrë,” shkroi ai. “Por pasi hapëm Noma-n dhe presioni filloi të rritej, përfundova duke u bërë pikërisht ai lloj shefi që i kisha premtuar vetes se nuk do të isha.”
Ai shtoi se në atë kohë nuk arrinte të përballonte presionin dhe gabimet e vogla i dukeshin shumë të mëdha.
“Nuk isha në gjendje ta menaxhoja presionin. Gabimet e vogla më dukeshin të mëdha dhe reagova në mënyra për të cilat sot jam penduar."
Megjithatë, Rexhepi theksoi se organizata e Noma-s sot është shumë ndryshe nga ajo që ishte në fillimet e saj, duke shtuar se është mirënjohës për ekipin që punon me të.
“Nuk mund ta ndryshoj atë që kam qenë atëherë. Por mbaj përgjegjësi [për sjelljen time] dhe do të vazhdoj të punoj për t’u bërë më i mirë,” përfundoi ai.
Restoranti Noma, i hapur nga Rexhepi në vitin 2003 në Kopenhagë, u bë një nga restorantet më të famshme në botë dhe u rendit disa herë si më i miri në botë nga lista The World’s 50 Best Restaurants.
Në vitin 2024 restoranti u mbyll në formën e tij tradicionale dhe u rihap në vitin 2025 si një laborator kulinar dhe hapësirë eksperimentale, duke organizuar pop-up gastronomike dhe evente në vende të ndryshme të botës.
