Dhjetëra ish-punonjës të njërit prej restoranteve më të njohura në botë kanë dalë hapur për të akuzuar shefin René Rexhepi për abuzim verbal dhe fizik.
Në një artikull të publikuar nga The New York Times të shtunën, më 7 mars, ish-punonjës të restorantit Noma – një restorant shumë i vlerësuar në Kopenhagë që dikur mbante titullin e restorantit më të mirë në botë para se të mbyllej në vitin 2023 – pretendojnë se shefi me origjinë shqiptare, René Rexhepi (Redzepi, siç citohet në mediat ndërkombëtare), i ndëshkonte fizikisht dhe abuzonte verbalisht.
Një shefe kuzhine, e identifikuar vetëm si Alessia, tha për The New York Times se “të shkoje në punë ishte si të shkoje në luftë”.
"Duhej ta detyroje veten të ishe e fortë, të mos shfaqje frikë,” tha ajo.
Artikulli përshkruan një incident në shkurt të vitit 2014 në të cilin Rexhepi, 48 vjeç, dyshohet se urdhëroi të gjithë stafin e kuzhinës ta ndiqte jashtë restorantit dhe të mblidheshin përpara se të qortonte një ndihmës shef kuzhine që kishte vendosur një muzikë të cilin ai nuk e pëlqente.
Sipas raportimit, Rexhepi e goditi punonjësin me grusht në brinjë dhe bërtiti se askush nuk do të lejohej të hynte brenda ndërtesës derisa ndihmës-shefi të thoshte me zë të lartë, para të gjithëve, se i pëlqente t’u bënte seks oral DJ-ve – një referencë poshtëruese ndaj muzikës në kuzhinë. Punonjësi përfundimisht u bind dhe stafi u kthye brenda.

Edhe pse akuzat janë bërë kundër Rexhepit për vite me radhë, sipas Times, Jason Ignacio White, një ish-drejtues i laboratorit të fermentimit të Noma-s, publikoi postime në Instagram muajin e kaluar duke deklaruar se ai ishte dëshmitar i rasteve të panumërta të abuzimit në restorant gjatë tri viteve që punoi atje.
New York Times tha se kishte intervistuar 35 ish-punonjës të Noma-s, të cilët përshkruan incidente të ndodhura mes viteve 2009 dhe 2017. Sipas tyre, Rexhepi dyshohet se kishte goditur punonjës në fytyrë, i kishte shtyrë me vegla kuzhine, i kishte përplasur në mure dhe i kishte abuzuar psikologjikisht përmes frikësimit, komenteve për trupin dhe talljeve publike.
Një tjetër shefe kuzhine tregoi se kishte kursyer për një vit dhe madje kishte shitur makinën për të përballuar punën në Noma në vitin 2013, pasi shumë nga punonjësit e restorantit nuk paguheshin. Ajo tha se një natë gjatë shërbimit, René Rexhepi e pa duke përdorur telefonin - diçka e ndaluar gjatë orarit të punës - megjithëse sipas saj po e përdorte vetëm për të ulur muzikën në restorant me kërkesë të një klienti.
Ajo pretendoi se pa thënë asgjë, Redzepi u kthye dhe e goditi në brinjë, duke bërë që ajo të binte në një banak metalik dhe të çahej në ije.
René Rexhepi - i cili është lavdëruar nga figura si Anthony Bourdain, ka marrë tre yje Michelin për punën në gastronominë e nivelit të lartë dhe është dekoruar me titull kalorës nga mbretëresha e Danimarkës - më parë ka kërkuar falje për sjelljet e papërshtatshme në punë, pasi u kap duke u bërtitur punonjësve në dokumentarin e vitit 2008 “Noma at Boiling Point”.

Disa ish-kuzhinierë i thanë The New York Times se, megjithëse përjetuan momente traumatike gjatë punës me René Rexhepin, nuk pendohen që punuan në Noma për shkak të ndikimit dhe statusit kulturor të restorantit.
"Dukej sikur po punonim në një urgjencë ose në një nëndetëse që po fundosej,” u shpreh Ben, një kuzhinier që punoi në Noma në vitin 2012. "Ishte ferri vetë, por mësova aq shumë sa nuk mund të them se pendohem."
Sot organizata Noma është përqendruar në shitjen e produkteve luksoze për kuzhinë dhe në organizimin e përvojave gastronomike, përfshirë një event të ardhshëm në Los Angeles, ku thuhet se një darkë do të kushtojë rreth 1500 dollarë për person.
Eventi i ardhshëm ka rikthyer debatet për mënyrën se si drejtohej restoranti, ndërsa disa ish-punonjës thonë se Rexhepi duhet t’u kërkojë falje.
Noma u konsiderua për vite një nga restorantet më të mira në botë. I vendosur në Kopenhagë, Danimarkë, restoranti u bë i famshëm për risitë në kuzhinën nordike dhe u rendit pesë herë si restoranti më i mirë në botë nga The World’s 50 Best Restaurants: në vitet 2010, 2011, 2012, 2014 dhe 2021.
René Rexhepi është me origjinë shqiptare. Babai i tij është shqiptar nga Maqedonia e Veriut, ndërsa nëna daneze.


