
Calvin Klein ka njoftuar lançimin e fushatës së re, Pranverë 2026, me protagoniste aktoren Dakota Johnson, e cila shfaqet për herë të parë krah kësaj marke.
Në këtë fushatë, Dakota na prezanton me dizajnet e reja të xhinseve dhe të brendshmeve, të krijuara për të ndjekur natyrshëm linjat e trupit.

Ndonëse xhinset, apo të brendshmet janë mjaft të bukura e të rehatshme, vëmendjen e ka marrë vetë aktorja, e cila shfaqet ‘topless’, duke na treguar edhe një herë sensualitetin që e karakterizon.

Fushata është drejtuar dhe fotografuar nga Gordon von Steiner, që është kujdesur të ofrojë një interpretim modern të vetëbesimit dhe sharmit të përmbajtur të markës. Përmes pranisë së Dakota-s, regjisori e ndjek aktoren në një ditë të qetë në shtëpi, larg vëmendjes publike.

Në qendër të rrëfimit të përditshmërisë së aktores qëndron një mesazh i qartë: jeto me vetëbesim.
“Xhinset dhe të brendshmet Calvin Klein kanë një cilësi të përjetshme që e bën çdo gjë të duket bukur që nga momenti që i vesh,” shprehet Dakota Johnson. “Kur një grua është vetëm në shtëpi, qoftë duke punuar, duke lexuar apo thjesht duke bërë çfarë të dojë, ajo mund të ndiejë një ndjesi lirie dhe sensualiteti. Të kapësh atë energji dhe ta kombinosh me identitetin ikonik të Calvin Klein ishte një përvojë unike dhe e përjetshme. Më pëlqen që kjo fushatë të fton të ndihesh rehat, e lirë dhe seksi sipas kushteve të tua. Ndonjëherë, gjëja më seksi është që një grua thjesht të jetë vetëvetja.”

Fushata do të lançohet globalisht më 9 mars, përmes rrjetit të dyqaneve të Calvin Klein, në faqen zyrtare të markës, në rrjetet sociale, si dhe përmes reklamave të ndryshme.



