
Këngëtarja e famshme amerikane Britney Spears është arrestuar në Kaliforni nën dyshimin për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.
Sipas të dhënave nga policia, Spears u shoqërua në paraburgim gjatë natës, por u lirua disa orë më vonë, ndërsa pritet të paraqitet në gjykatë më 4 maj.
Përfaqësuesi i saj reagoi pas incidentit duke e quajtur ngjarjen “të pajustifikueshme”, duke shtuar se këngëtarja do të bashkëpunojë me autoritetet dhe do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të respektuar ligjin. Ai theksoi gjithashtu se familjarët e saj po përpiqen t’i qëndrojnë pranë.
Pas arrestimit, Spears çaktivizoi edhe llogarinë e saj në Instagram, gjë që ka ndodhur edhe herë të tjera në të kaluarën.
Këngëtarja 44-vjeçare, e njohur për hitet “...Baby One More Time”, “Oops!... I Did It Again” dhe “Toxic”, ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes së mediave për jetën e saj personale, sidomos pas përfundimit të kujdestarisë ligjore 13-vjeçare në vitin 2021.
Në deklaratën e fundit, përfaqësuesi i saj shtoi se djemtë e Spears pritet të kalojnë kohë me të, ndërsa të afërmit e saj po punojnë për një plan që synon të përmirësojë mirëqenien dhe stabilitetin e saj në këtë periudhë të vështirë.


