
Aktori i nominuar për çmimin Oscar, Timothée Chalamet, është përballur me kritika të shumta, pasi deklaroi se nuk do të dëshironte të punonte në projekte që lidhen me baletin apo operën, duke sugjeruar se këto forma arti nuk tërheqin më interesin e publikut.
Komentet i bëri gjatë një bisede me aktorin Matthew McConaughey, ku diskutuan për sfidat dhe përpjekjet për të ruajtur rëndësinë e kinemasë në ditët e sotme.
“Nuk dua të punoj në balet, apo në opera, apo në gjëra ku më thonë: ‘Bëje sa për ta mbajtur gjallë’, edhe pse askush nuk interesohet më për të’,” tha Chalamet gjatë bisedës.
Ai shtoi menjëherë:
“Me gjithë respektin për të gjithë njerëzit që punojnë në balet dhe opera.”
Megjithatë, deklarata e tij shkaktoi reagime të shumta nga artistë të ndryshëm, kryesisht nga ato që i përkasin pikërisht këtij lloj arti.
Në një moment të videos së publikuar nga revista Variety, aktori e pranoi edhe vetë se komentet mund të krijonin polemika.
“Sapo humba disa shikime… thjesht bëra një koment pa arsye,” tha ai.
Kritikat nuk vonuan.
Mezzo-sopranoja kanadeze Deepa Johnny i quajti fjalët e aktorit “një zhgënjim”, ndërsa aktorja Jamie Lee Curtis reagoi në Instagram duke pyetur:
“Pse një artist do të sulmonte artistë të tjerë?”
Johnny theksoi se komuniteti artistik duhet të bashkëpunojë mes disiplinave për të mbështetur dhe ngritur lart format e ndryshme të artit.
View this post on Instagram
Edhe artistë të tjerë reaguan ashpër. Artisti amerikan Franz Szony shkroi se baleti dhe opera janë dy forma arti që ekzistojnë prej shekujsh dhe kërkojnë një nivel të jashtëzakonshëm disipline dhe talenti. Sipas tij, deklarata e Chalamet tregon mungesë kuptimi për këto forma arti.
Nga ana tjetër, komuniteti i baletit reagoi duke theksuar se arti skenik është ende shumë tërheqës. Koreografi Martin Chaix argumentoi se në një kohë kur teknologjitë si inteligjenca artificiale po transformojnë industrinë e filmit, prania njerëzore dhe performanca në skenë e baletit dhe operës bëhen edhe më të rëndësishme.
View this post on Instagram
Edhe English National Ballet reagoi përmes rrjeteve sociale duke theksuar se baleti jo vetëm që është i gjallë, por edhe në lulëzim. Sipas kompanisë, më shumë se 200 mijë njerëz morën pjesë në shfaqjet e tyre, ndërsa përmbajtja e tyre në rrjetet sociale arriti mbi 65 milionë shikime.
Ndërkohë, disa institucione artistike e përdorën polemikën edhe për promovim. Seattle Opera publikoi një ofertë promocionale për shfaqjen e operës Carmen, duke i ofruar publikut një zbritje me kodin “TIMOTHEE”. Në postimin e tyre në Instagram shkruhej me ironi: “Timmy, edhe ti je i mirëpritur ta përdorësh këtë kod.”


