Ndarja, që faktikisht është fundi i një marrëdhënieje, shpesh rezulton të jetë fillimi i një sage publike: këngë që lexohen si “diss”, postime me nënkuptime, fjalë ku nuk përmenden emra, por që të gjithë e dinë për kë bëhet fjalë. Në showbizin shqiptar duket se këto modele po përsëriten vazhdimisht.
Së fundmi, një këngë e Mozzik-ut u lexua si “diss” ndaj Loredanës, edhe pse ai e prezantoi si reflektim ndaj vetes, me gjuhë të huazuar nga të tjerët. Gjuha ishte e rëndë (ish-gruja po t’q*het me zezak; ish-gruja po t’sillet me repera, po kallxon për ty gjithçka) dhe Loredana u shpreh publikisht se vajza e tyre ishte ndierë shumë keq. Dinamika të tilla nuk janë sporadike.
Bes Kallaku, me këngën “Rrëfimi” dhe postimet për “kapitullin e mbyllur” e “sa i fituar dola”, u lexua nga shumëkush si mesazh për ish-bashkëshorten, nënën e fëmijëve të tij, të cilën në këngë e përshkruan si “thëngjill”. Fero dhe Arbenita kanë shkëmbyer akuza të rënda publikisht. Shembujt janë të shumtë. Raste të tilla i kemi parë nga të dyja anët.
Në një intervistë me Arbanën, Xhensila tregoi se kishte qenë vetëm ajo që ishte përpjekur për ta bërë marrëdhënien të funksiononte dhe mes rreshtave, la të kuptohej se fjalët e Besit nuk përputheshin me veprat. Loredana, në të shkuarën, ka bërë postime që janë lexuar si thumbime ndaj Mozzik-ut, si p.sh. kur postoi që “…dikush po del me ish-in tënd dhe mendon se ka gjetur dikë special”. Tuna dhe Patrisi kanë pasur gjithashtu dinamika të tilla. Pra, nuk është çështje gjinie, por përgjegjësie.
Sigurisht, kjo nuk është një dukuri ekskluzivisht shqiptare. Në kulturën globale, rrëfimet dhe “diss”-et ndaj ish-partnerëve janë bërë pothuajse një zhanër më vete. Mjafton të kujtojmë këngën e Shakirës për Gerard Piqué, e cila u kthye në një fenomen botëror. Por edhe në atë rast, përtej suksesit, klikimeve dhe meme-ve, pyetja është: çfarë ndodh me fëmijët që rriten mes këtyre rrëfimeve?
Afërmendsh që arti është mjet për përpunimin e dhimbjes. Shumë prej këngëve më të njohura në histori kanë lindur nga zemra të thyera. Është e kuptueshme që dikush të dëshirojë të sqarojë publikisht versionin e vet, sidomos kur ndihet i gjykuar. Por kur rrëfimi ndërtohet mbi një marrëdhënie nga e cila kanë lindur fëmijë, ai nuk është më rrëfim personal, por bëhet pjesë e një arkive që një ditë do të lexohet nga ata fëmijë.
Ne, publiku, do t’i harrojmë këto histori pas disa ditësh. Do të vijë një këngë tjetër, një histori tjetër, një dramë e re. Por fëmijët e përfshirë nuk u bëjnë dot mute këtyre historive. Ata do ta lexojnë një ditë versionin që prindërit e tyre zgjodhën të publikojnë.
Në psikologjinë e zhvillimit, një nga nevojat themelore të fëmijëve të prindërve të divorcuar është ruajtja e një imazhi të sigurt për të dy prindërit. Pa dyshim që fëmijët e kuptojnë konfliktin, por stabiliteti emocional ndërtohet kur ata nuk duhet të zgjedhin anë. Sigurisht që ata kanë të drejtë të dinë, shpjeguar sipas moshën së tyre, pse marrëdhënia mes prindërve nuk funksionoi. Por ka dallim mes shpjegimit dhe ekspozimit. Një gjuhë e mbushur me nënkuptime, akuza apo përçmim nuk cenon vetëm figurën e ish-partnerit/es, por edhe fëmijën, që është biologjikisht dhe emocionalisht i lidhur me të dy prindërit.
Nëse mes dy të rriturve nuk ka më respekt, përgjegjësia minimale është të ruhet dinjiteti në komunikim. Fëmijët, me kalimin e kohës, janë të aftë të kuptojnë vetë marrëdhënien. Ata do ta formojnë vetë gjykimin e tyre dhe detyra e prindit nuk është që t’i imponojë një gjykim të caktuar.
Shumë prej jush mund të pyesni: A nuk ka të drejtë një artist të flasë për dhimbjen e tij? Sigurisht që ka. A duhet ta bëjë këtë? Kjo është pyetja më e vështirë, sepse kur ke fëmijë me dikë, ai person nuk është më vetëm ish-i yt; është prindi tjetër.
Me këtë nuk nënkuptoj që artistët të heshtin, por t’i peshojnë fjalët. Ndoshta pjekuria e vërtetë nuk është sa fort flet për dhimbjen tënde, por sa kujdesesh që fjalët e tua të mos ndikojnë tek ata që ju duan të dyve njësoj. Thënë kjo, vjen një moment që nuk ka rëndësi se kush ka të drejtë sepse pyetja e duhur është: a ia vlen?
Kur bëhesh prind, ndryshon mënyra si e përdor të drejtën për të folur. Dhe ndoshta guximi dhe pjekuria më e madhe nuk matet me çfarë ke për të thënë, por me çfarë zgjedh të mos thuash.
- Ky artikull përfaqëson një këndvështrim personal të Sindi Salaj, kryeredaktore e Anabel, dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht linjën editoriale apo qëndrimin zyrtar të Anabel Media. Opinonet e shprehura janë individuale dhe mbeten përgjegjësi e autores.
Ndalohet kategorikisht riprodhimi, publikimi apo transmetimi i këtij artikulli nga mediat e tjera, në çdo formë dhe me çdo mjet, pa lejen paraprake të redaksisë.