Historia ka treguar, të paktën deri tani, që Big Brother-in e fitojnë ata që dinë të krijojnë tension, të ndërtojnë aleanca të forta apo të dominojnë debatet me zë të lartë. Mirëpo historia mori një kthesë që shumëkush nuk e parashikoi në nisje të sezonit të katërt të BBVK. "Big Brother VIP Kosova 4" u mbyll me shpalljen fitues të Londrim Mekaj, një personazh që nuk iu përmbajt asnjë rregulli të pashkruar të reality show-t.
Pikërisht kjo e bëri fitoren e tij ndryshe sepse për herë të parë në historinë e "Big Brother VIP" në Kosovë dhe Shqipëri, nuk fitoi figura më konfliktuale, as protagonisti i dramave më të mëdha, as lojtari më i ftohtë e strategjik. Fitoi një njeri që e ndërtoi rrugëtimin e tij brenda shtëpisë mbi energjinë pozitive, mbi respektin për të tjerët dhe mbi një autenticitet që nuk u lëkund as në momentet më të tensionuara.
Nga mjelja e lopëve në fshat te dritat e skenës
Një nga momentet më të bukura të sezonit ishte rrëfimi i Londrimit për jetën e tij përpara famës së papritur televizive. Ai tregoi se ka nisur të punojë në moshën 7-8 vjeçare, në një realitet ku fëmijëria nuk kishte lojëra, por përgjegjësi. U rrit në fshat, mes punëve të fshatit, ku zgjohej herët për të mjelë lopët, për të shkuar më pas në shkollë dhe për t’u kthyer sërish në punë.
Ai foli për varfërinë, por pa e dramatizuar; foli për pamundësitë ekonomike, por pa e paraqitur veten si viktimë; foli për një mungesë që ishte njëkohësisht materiale dhe emocionale, duke e pranuar se për shumë vite kishte mbajtur brenda vetes ndjenja që nuk kishte ditur si t’i shprehte. Por edhe në atë realitet, Londrimi ëndërronte. Këndonte dhe performonte përballë kafshëve të fshatit dhe imagjinonte sikur ata ishin njerëz.
Në moshën 21-vjeçare, ai vendosi të largohej nga fshati për të ndërtuar një jetë tjetër në qytet, duke e ditur që nuk kishte asnjë siguri të garantuar, por ishte i bindur se meritonte më shumë nga jeta sesa kufijtë e rrethanave në të cilat ishte rritur.
Një stil që sfidoi pritshmëritë
Nëse në të gjitha edicionet e Big Brother ne jemi mësuar me një tipologji të caktuar protagonisti – shpesh të ashpër, ironik, dominues dhe/ose me prirje për konflikt – Londrimi ishte 180 gradë larg kësaj skeme. Ai është energjik, ekspresiv dhe i lirë në mënyrën si lëvizte, si vishej dhe si shprehej, por në marrëdhënie mbetej i butë dhe i qetë.
Brenda shtëpisë ai kërcente në mëngjes, qeshte me zë të lartë, sillte humor spontan dhe krijonte atmosferë pa pasur nevojë të ndërtonte drama të kota. Kur banorët e tjerë ziheshin e ofendoheshin, Londrimi kërcente me arushat e drerët dekorues të festave të fundvitit.
Për stilin dhe paraqitjen e tij shpesh është paragjykuar edhe jashtë e brenda shtëpisë, sepse nuk përputhet me pamjen tradicionale të meshkujve në ekran, por ai nuk e ndryshoi veten për t’u bërë më i pranueshëm. Edhe në finale shkoi i veshur si askush tjetër më parë.
Pikërisht ky refuzim për t’u përshtatur me gjithë çfarë jemi mësuar të shohim e bëri të veçantë, sepse Londrimi dukej sikur as nuk po përpiqej të shpallej “fitues”, por thjesht ishte vetja.
Një fitore pa ofendime dhe pa strategji të ashpra
Gjatë gjithë sezonit, Londrimi nuk u identifikua kurrë me ofendime të ulëta, me sulme personale apo me strategji që synonin dobësimin e tjetrit për të forcuar veten. Kur kishte debate, ai merrte pjesë, por gjithmonë me dinjitet; kur shihte padrejtësi, reagonte, por pa u bërë agresiv.
Në një format si Big Brother, ku konflikti shpesh është mënyra kryesore për të marrë vëmendje, ai zgjodhi të mos e përdorë fare. Ai zgjodhi të jetë i mirë në një mjedis që shpesh shpërblen të kundërtën, dhe ky ishte akti më i guximshëm i gjithë sezonit.
Nga te qenit i panjohur te mbështetja masive
Para hyrjes në shtëpi, Londrimi pranoi se kishte rreth 4 mijë ndjekës në rrjete sociale, një shifër modeste për standardet e një formati VIP. Gjatë qëndrimit në shtëpi, ai kaloi shifrën 100 mijë ndjekës (aktualisht numëron më shume 156 mijë) një rritje që nuk u arrit nga skandalet apo polemikat e bujshme.
Kjo rritje tregon se publiku pëlqeu dhe votoi në fund një karakter që dukej i njëjtë në çdo situatë.
View this post on Instagram
Një fitore e pazakontë
Në historinë e "Big Brother VIP" në Kosovë dhe Shqipëri, fituesit shpesh kanë qenë figura me profil të fortë mediatik, me konflikte, romanca apo strategji. Kjo fitore është historike sepse Londrimi është i pari që fitoi pa e bërë konfliktin mjet identiteti. Ai vërtetoi se publiku shqiptar, në Kosovë dhe Shqipëri, kur personazhi është i vërtetë dhe interesant, voton për njeriun, jo vetëm për lojën.
Sot ndodh që cinizmi konsiderohet zgjuarsi dhe agresiviteti vlerësohet si karakter i fortë. Mirëpo rrugëtimi i Londrim Mekajt brenda shtëpisë ishte një kundërargumenti i qartë ndaj kësaj kulture. Ai tregoi se mund të jesh energjik pa qenë agresiv, i ndjeshëm pa qenë i dobët dhe i drejtë pa shkelur dinjitetin e askujt.
Fitorja e tij sugjeron se publiku është gati të shpërblejë autenticitetin, pozitivitetin dhe mirësinë, edhe kur ato nuk përputhen me formulën tradicionale të spektaklit.
Ndonjëherë, për të fituar, nuk duhet të bëhesh më i fortë se të tjerët; mjafton të mos heqësh dorë nga vetja. Dhe në rastin e Londrimit, vetja i rezultoi më e fuqishme se çdo strategji e banorëve të tjerë.

