
Në një intervistë për "Goca dhe Gra" në Top Channel, Luana Vjollca ka treguar për herë të parë se përse nuk do të jetë më moderatore e "Ferma VIP" në Vizion Plus, pasi prezantoi edicionin e dytë të spektaklit.
Me një përgjigje diplomatike, pa përmendur arsye konkrete, Luana la vetëm të kuptonte se ka ndier sikur për të, "Ferma VIP" është një cikël i mbyllur.
Ajo shtoi se në të tilla raste kërkon gjithmonë të bëjë një hap tjetër më të madh në shërbim të rritjes së vetes dhe se mbylljet preferon t'i bëjë gjithmonë me dinjitet e mirënjohje, pa drama të kota:
"Është pak a shumë ajo që unë them përherë që është e rëndësishme të dish kur ndalon diçka, për një hap më të madh ose për diçka tjetër në jetën tënde. Unë kam shumë qejf të rritem gjithmonë dhe di që mbylljet e mia kam dëshirë që t'i bëj me dinjitet, me mirënjohje dhe të filloj një hap të ri pa dramë."
Për Luanën, kohëzgjatja e një programi nuk përcakton suksesin e saj, por fakti nëse ka lënë gjurmë apo jo:
"Unë nuk mendoj që kohëzgjatja përcakton suksesin në vetvete. Suksesin e përcakton se sa gjurmë lë ti. Ka projekte televizive shumësezonale dhe nuk arrijnë ta lënë gjurmën që lë një sezon i vetëm."
Dhe kështu, ndoshta duke nënkuptuar se ka ndier sukses dhe është mjaftuar me një sezon të "Ferma VIP 2", duke i mbyllur marrëdhëniet me mirënjohje e dinjitet, mbetet për t'u bërë pyetja: cili është hapi i saj i radhës në televizion?
Një gjë është e sigurt, shenjat që Luana mund të jetë duke u rikthyer në Top Channel, sa vijnë e shtohen.




