Ky është late-night show që s’ka ekzistuar deri tani.
Çdo të enjte, ora 21:00, në YouTube / Andale AL nis “Me nder jush”, një program që premton të mos bëjë asgjë “normale”.
Në qendër të programit është Denis Taullaj – një nga komedianët më të spikatur të stand up comedy në Shqipëri dhe pjesë e fenomenit “Comedy Thursday”, ku çdo shfaqje është sold out. Me një stil të drejtpërdrejtë, inteligjent dhe provokues, Denisi ka ndërtuar ekskluzivisht në Andale një format të frymëzuar nga komedia e tij dhe nga tradita e late night show-ve amerikane.
“Me nder jush” nuk do të jetë thjesht një emision që ka humor, por mbi të gjitha një hapësirë ku ngjarjet sociale dhe politike do të trajtohen me ironi dhe satirë. Çdo episod do të ketë të ftuar, segmente dinamike dhe një ritëm që i qëndron besnik stilit të Denisit, i cili është edhe autor i programit.
Përkrah tij do të jetë Megli Haskaj, gjithashtu pjesë e Andale, energjia që balancon, sfidon dhe ndërhyn aty ku duhet. Kimia mes tyre është pjesë e strukturës dhe tensionit komik që mban ritmin e programit.
View this post on Instagram
Titulli nuk duhet të jetë rastësor. “Me nder jush” është ajo fjali që paraprin diçka të sikletshme. Një të vërtetë që zakonisht thuhet me gjysmë zëri, por këtu do të thuhet para mikrofonit.
“Këtë sezon, Andale ka si prioritet zhvillimin e formateve me identitet të fortë autorial. ‘Me nder jush’ është një shembull i qartë i kësaj qasjeje. Ai vjen si një program me zë të vetin unik, për një audiencë që kërkon origjinalitet të ndërthurur me satirë që nuk përfundon kurrë. Di të them, se ky format do të jetë një surprizë për të gjithë” u shpreh Bora Xhani, Drejtore e Programacionit në Andale.
Duke marrë në konsideratë humorin e Denis Taullajt si dhe energjinë dinamike të Meglit, mund të themi me bindje se “Me nder jush” synon të jetë late night show-i i parë i mirëfilltë në Shqipëri. Një program që duket se do të guxojë të thotë hapur atë që zakonisht thuhet me nënkuptim, pa frikë nga temat e sikletshme dhe pa pretendimin për të qenë “brenda kornizave”.
Çdo të enjte, ora 21:00, në YouTube / Andale AL.