
Bes Kallaku ka publikuar këngën e tij më të fundit, “Rrëfimi”, që më shumë se një projekt muzikor, duket si një pasqyrim i rrugëtimit të tij personal.
Kënga përshkruan rrugëtimin e tij drejt famës, vështirësitë dhe zhgënjimet nga persona të afërt, ndërsa në mënyrë të nënkuptuar, disa vargje duket se janë një dedikim për ish-bashkëshorten e tij, Xhensila Myrtezaj, me të cilën Besi pati një histori të gjatë dashurie që përfundoi në divorc.
Në një pjesë të këngës, ai duket se i referohet një marrëdhënieje të mbyllur, që të lë të kuptosh se e ka fjalën për ish-partneren e tij, e cila ka qenë pjesë e rrugëtimit dhe, rrjedhimisht, edhe e rrëfimit të Besit.
“Janë thënë ça s’janë thënë,
Por hiç s’i përfilli,
Mes meje e teje,
Dihet kush është thëngjilli”,thuhet në vargjet e këngës, tekstin e së cilës e ka shkruar vetë Besi.
Mes rreshtave, ai lë të kuptohet se për shkak të periudhave të vështira, ka rënë pre e disa zakoneve të këqija, një kohë që, sipas tij, nxori në pah edhe fytyrat e vërteta të njerëzve përreth.
“U zhyta edhe n’vese,
Po, po, e vërtetë,
Por a m’pyeti njeri:
O Bes, ça ke, pse nuk flet?”, vijon më tej kënga.
Megjithatë, përtej rrëfimit të ngarkuar emocionalisht që sjell ky projekt, duket se Besi e ka lënë pas këtë kapitull të jetës së tij. Së fundmi, ai ka nisur një histori të re dashurie me një vajzë të quajtur Ejona.