Një grua 30-vjeçare u arrestua të dielën pasi dyshohet se qëlloi disa herë me pushkë drejt vilës në Beverly Hills të Rihanna-s, ndërsa ajo ndodhej brenda në shtëpi.
Policia e Los Angeles reagoi pas raportimit për të shtëna rreth orës 13:21 të së dielës dhe arrestoi menjëherë të dyshuarën, sipas një zëdhënësi të policisë. Një plumb thuhet se depërtoi përmes murit të shtëpisë.

Fotot nga vendngjarja treguan shiritat e verdhë të policisë jashtë shtëpisë së këngëtares, ndërsa oficerët bllokuan rrugën pranë pronës së saj.
Nuk dihet ende nëse partneri i Rihanna-s, reperi A$AP Rocky, dhe tre fëmijët e tyre, RZA (3 vjeç), Riot Rose (2 vjeç) dhe Rocki Irish Mayers (5 muajshe), ndodheshin gjithashtu në shtëpi kur u dëgjuan të shtënat.

Sipas zëdhënësit të Departamentit të Policisë së Los Angeles-it, nuk është raportuar asnjë person i plagosur nga incidenti. Raportohet se në njoftimin e policisë për ngjarjen përmendeshin “rreth 10 të shtëna” drejt shtëpisë, të cilat dyshohet se u qëlluan nga një automjet i ndalur në anën tjetër të rrugës përballë rezidencës.
Sipas komunikimeve të policisë, e dyshuara u largua më pas me shpejtësi me një makinë Tesla të bardhë.
Një burim pranë familjes së Rihanna-s tha se “të gjithë janë mirë”, ndërsa këngëtarja nuk ka bërë ende ndonjë reagim publik për ngjarjen.

Deri tani nuk dihen detaje të tjera, përfshirë motivin e sulmit me armë.
Rihanna ka përjetuar edhe më parë incidente të ngjashme në pronën e saj. Në vitin 2018, një burrë 27-vjeçar hyri në rezidencën e saj në zonën Hollywood Hills pasi kapërceu gardhin, sipas zyrës së prokurorit të qarkut të Los Angeles-it.

I dyshuari, i identifikuar nga prokurorët si Eduardo Leon, hyri në pronë ndërsa këngëtarja ndodhej jashtë dhe qëndroi në shtëpi për rreth 12 orë para se të zbulohej nga një prej asistenteve të saj.
Më vonë ai pranoi akuzën për përndjekje dhe iu vendos një urdhër që e ndalon për 10 vite të afrohet pranë këngëtares.



