Prime-i i mbrëmshëm as që e meriton të përmblidhet, por ja një raportim në stil telegrafik vetëm për hatrin tuaj:
#1. A pëlqehen Mateo dhe Brikena apo jo?
Pëlqehen, por s’kanë ndjenja. Kështu tha Brikena. Të pyetur se sa pëlqehen nga 1-10, Brikena tha 7 (që është goxha mirë për të) dhe Mateo 11.

Pati një debat për Mateon që i kërkoi para pak ditësh Brikenës të ndryshonte rrobat e të vishte një xhup pasi ishte shumë e zbuluar, por ajo u mërzit nga kërkesa, për aq kohë sa Mateo s’është i dashuri i saj. Mbase po ndryshon me kohën!
#2. Gimbo ngatërron kuptimin e fjalës “pedofil”

Të cilën ia përsëriti e përsëriti para fytyrës Mirit. Është e qartë që e ka ngatërruar me fjalën “pervers”, ose ndoshta ishte i saktë sipas gjuhës së Kosovës, s'i dihet.
Miri në prime shprehu se u ndje thellësisht i ofenduar, Gimbo kërkoi falje për atë fjalë gjithsesi dhe kështu shkuan dhe 40 minuta jetë.

#3. Banorët ende të shokuar pasi zbuluan fjalët e babait të Selin që dëgjoi Miri

Selin ndihej e neveritur. Gimbo po e po. Stenaldo me Malin e gjykuan gjithashtu Mirin që s’u distancua pasi mësoi ç’mendonte babai i Selinës. Miri vetëm tani u ftillua dhe tha se “nëse babai i saj e kishte kaq problem, le të vinte ta tërhiqte nga veshi vajzën”.

Shkurtimisht, nga babë e bijë, po përfundojnë duke ngrënë kokat e njëri-tjetrit. Është lojë, s’është lojë, pak po e sigurt, s’është fare interesante.
#4. Mateo surprizohet nga mami

Të cilën e takoi dhe Brikena duke i puthur dorën e duke treguar se mund të jetë nuse e denjë. Pak problem që asnjëri prej të treve nuk kishte atë zakonin ku flet shumë nga sikleti sepse pati ca momente qetësie që u ndjenë dhe për ne si publik si kapje ngërçi.

#5. Nga hiçi, Miri me Brikenën bëhen armiq
Do thuash ti pse po flasim akoma për Mirin. Me sa duket, qenka përfolur shumë marrëdhënia e tij me Brikenën brenda shtëpisë. Produksioni gjeti takimin e parë fare mes tyre si provë që dyshja s’e nisën kurrë mbarë. Nejse, të bëjnë ç’të duan, apo jo?
#6. Largohet Livia me letër
Kjo ishte gjëja më për të qeshur e mbrëmjes. Ledioni i thotë Livias se i ka mbërritur një letër, duke na bërë të mendojmë se ishte surprizë nga dikush. Surprizë ishte, por jo aq e bukur. Vëllai i Madh kishte shkruar me dashuri një letër me dorën e vet për të thënë se Livia ishte e eliminuara e mbrëmjes.

#7. Juela hap kutinë e Pandorës
Dhe me zarf të zi nxjerr 3 veta në televotim: Gretën, Selinën dhe Gimbon. Si gjithmonë, në televotim është dhe Rogerti.
