
Kelly Osbourne ka reaguar ndaj komenteve të shumta që mori pas paraqitjes së saj në tapetin e kuq të Brit Awards, ku u shfaq të shtunën, më 28 shkurt, në shoqërinë e nënës së saj, Sharon Osbourne.
Pamja e saj (me më pak kilogramë se zakonisht) ngjalli reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë ndjekës u shprehën të shqetësuar për humbjen e konsiderueshme në peshë.
“Oh Kelly, shpresoj vërtet që të marrësh ndihmë”, “Mënyra si duket është e trishtë”, “Ka nevojë për shumë ndihmë”, ishin vetëm disa nga komentet që qarkulluan online.
Përmes një postimi në Instagram, Kelly vendosi të mos heshtë. Ajo foli hapur për mungesën e dhembshurisë që, sipas saj, po përjeton në një nga periudhat më të vështira të jetës. Në vend që të marrë mbështetje, tha ajo, po përballet me gjykime dhe aludime që e lëndojnë edhe më shumë.
“Ekziston një lloj mizorie e veçantë kur lëndon dikë që është qartësisht në një situatë të vështirë. Më godisni kur jam tashmë e trishtuar, vini në dyshim dhimbjen time, i ktheni vështirësitë e mia në thashetheme dhe më ktheni shpinën në momentin kur kam më shumë nevojë për dashuri dhe mbështetje”, shkroi ajo.

Në fund të reagimit, Kelly theksoi se po kalon një periudhë shumë të vështirë për shkak të humbjes së babait të saj, legjendës së rock-ut Ozzy Osbourne, i cili u nda nga jeta pak kohë më parë.
“Asgjë nga këto nuk tregon forcë, përkundrazi, zbulon mungesë të thellë dhembshurie dhe karakteri. Po kaloj periudhën më të vështirë të jetës sime dhe nuk dua të më duhet të mbrohem. Por nuk do të rri ulur dhe të lejoj të trajtohem në këtë mënyrë”, përfundoi ajo.
Ajo la të kuptohet se dhimbja është e mjaftueshme, pa pasur nevojë për sulme nga publiku.




