Nëse kënga “Rrëfim” u duk si një projekt personal, i ngarkuar emocionalisht dhe me disa vargje që shumëkush i lexoi si dedikim për një histori të mbyllur, postimet e fundit të Bes Kallakut në Instagram po e bëjnë edhe më të qartë.
“Ky rrëfim është e vërteta ime,” shkruan ai. Një fjali që nuk tingëllon si promovim kënge, por si sqarim.
Në një tekst të gjatë falënderues në Instagram, Besi flet për një kapitull të mbyllur, për heshtjen që “e ktheu në fajtor”, për njerëz që e ngritën dhe të tjerë që e shtynë drejt errësirës. Flet për vese, për periudha të vështira, për rënien dhe ngritjen. Dhe pastaj, në fund, për një “njeri të zemrës”, që i ka kthyer paqen, buzëqeshjen dhe “versionin më të mirë të vetes”.

Në një postim tjetër në Instagram, Besi flet për heshtjen që e ktheu në fajtor, për gjykimin e shpejtë dhe për faktin që sot ndihet më i fortë.

Ndonëse Besi nuk e ka përmendur emrin e Xhensilës në asnjë moment që pas ndarjes, me këngën dhe mesazhet e fundit duket se ai i referohet marrëdhënies së tyre, duke treguar anën e tij të historisë.
E para që foli për divorcin ishte Xhensila, ku e ftuar në "Mirëmbrëma Yje" la të nënkuptohej se përpjekjet dhe përkushtimi në martesën e tyre nuk ishte i dyanshëm.
“Ka disa vite që ishim përpjekur të sistemonim pakënaqësitë në martesën tonë me dëshirën për të mos i dhënë fund. Por kriza ka gjithmonë në çift. Ne nuk e kishim ndarë akoma nëse donim të ishim ndarë apo bashkë. Por mendoj se në çdo marrëdhënie kur veprat me fjalët nuk kanë shumë përputhshmëri, kur në marrëdhënie ka debate, bëhet toksike. Bëhet e dëmshme për mua, fëmijët, edhe për të. Kështu unë mora vendimin për t’u ndarë.
Në çift duhet bashkëpunim, duhet punë nga dy partnerët. Kam kuptuar që nuk duhet të luftojë veç njëra palë, por nga të dyja. Ishte një vendim i marrë nga unë. Më duhej mua ta bëja si hap pasi nuk shihja asnjë mundësi tjetër. Nuk është i lehtë divorci. Disa hapa sado e vështirë të jetë, duhet gjetur guximi për t’i marrë. Unë e gjeta forcën te fëmijët e mi, sepse doja që në të ardhmen fëmijët të kishin qetësi.”
Më tej, Xhensila shpjegoi se kishte zgjedhur të heshtte për shkak të fëmijëve, por kjo i kishte kushtuar shumë.
“Shumë barrë kam marrë mbi supe. Çfarë nuk është thënë për mua, çfarë nuk kam lexuar. Por unë nuk e ndryshoj dot botën, nuk e ndryshoj dot mendësinë e tyre.”, tha ajo në dhjetor të 2024-ës.



