
Shpesh tentojmë të vlerësojmë një marrëdhënie bazuar te instinkti, kimia apo intensiteti i fillimit, por këto tregues nuk janë gjithmonë të besueshëm. Siguria e vërtetë në një lidhje shfaqet në sjelljet e vogla, të përditshme, dhe në mënyrën se si ndihemi brenda saj çdo ditë.
Këtu hyn në lojë metoda CARRP, një "test" praktik që ndihmon të vlerësojmë stabilitetin emocional dhe dinamikën e marrëdhënies, pa dramatizime dhe analiza të tepërta.
Çfarë është CARRP?
CARRP qëndron për: Konsistencë, Disponueshmëri, Besueshmëri, Përgjegjshmëri dhe Parashikueshmëri. Ky sistem përqendrohet tek pesë sjelljet kyçe që lidhen me sigurinë emocionale dhe përputhshmërinë afatgjatë. Në vend që të mendojmë vetëm për emocionet e fillimit apo për të ardhmen, CARRP shqyrton modelet e përsëritura: Si sillet partneri kur situatat nuk janë perfekte? A përputhen fjalët me veprimet? A mund të mbështetemi tek ai/ajo kur kemi nevojë?
Konsistenca
Ky element tregon nëse partneri tregon të njëjtin nivel interesi dhe komunikimi me kalimin e kohës. Nuk ka ulje-ngritje të papritura, dhe nuk ndihemi të pasigurta për vendin tonë në marrëdhënie. Kur ka konsistencë, sistemi nervor relaksohet dhe nuk jemi gjithmonë në tension.

Disponueshmëria
Partneri i disponueshëm e bën të qartë se ka hapësirë për ne në jetën e tij. Nuk ndihemi si zgjedhje e dytë, apo si dikush që e marrim prezencën e tij vetëm kur ai ka kohë. Duhet që ai të ketë gatishmëri për të bërë plane, pa u justifikuar për të kundërtën.
Besueshmëria
Është lidhja mes fjalëve dhe veprimeve. Kur partneri thotë diçka dhe e mban fjalën, besimi ndërtohet natyrshëm. Nuk marrim sinjale apo mesazhe kontradiktore dhe nuk kemi nevojë të hamendësojmë çdo veprim të tij.

Përgjegjshmëria
Ky element lidhet me praninë emocionale. Mund të flasim lirshëm për shqetësime pa pasur frikë se partneri do të bezdiset, madje ai duhet të tregojë gatishmëri për të dëgjuar dhe për të marrë përgjegjësi kur duhet.
Parashikueshmëria
Nuk ka të bëjë me rutinë të mërzitshme, por me stabilitet emocional. Ne dimë se si ndihet partneri dhe nuk habitemi nga ndryshimet e papritura në sjelljen e tij. Edhe në periudha stresi, komunikimi mbetet i qartë dhe i vazhdueshëm.
Një marrëdhënie që i plotëson këto pesë kritere na bën të ndihemi të qeta. Nuk harxhojmë energji me dyshime, dhe lidhja zhvillohet gradualisht përmes akteve të vogla, por të qëndrueshme. Kur këto elementë mungojnë, marrëdhënia bëhet e lodhshme dhe plot tension.

Është e rëndësishme të theksohet se CARRP nuk jep rezultate brenda natës. Modelet shfaqen me kalimin e kohës, zakonisht pas disa muajve. Nëse me kalimin e kohës ndihemi më të sigurt dhe më të qetë, kjo është një shenjë pozitive. Por nëse pasiguria rritet, ky informacion është gjithashtu i vlefshëm dhe duhet marrë parasysh për të rimenduar marrëdhënien e ndërtuar.

